Trajneri Thomas Tuchel është shprehur ende i habitur nga eliminimi i Paris Saint-Germainit nga Liga e Kampionëve, mirëpo ka thënë se skuadra e tij duhet ta kalojë këtë periudhë dhe të kthehen edhe më fuqishëm në Ligue 1.

PSG-ja do të ndeshet me Dijonin sonte dhe kjo do të jetë ndeshja e parë për skuadrën e Tuchelit, pas eliminimit dramatik nga Liga e Kampionëve, përmes disfatës 3:1 në shtëpi kundër Manchester Unitedit, transmeton Gazeta Express.

“Të gjithë jemi të mërzitur. Është e vështirë ta analizosh atë ndeshje. Mendoj se ishte aksidentale dhe nuk ka asnjë shpjegim logjik. Ne e kontrolluam ndeshjen, por tensioni u rrit me kalimin e kohës”, ka thënë Tuchel.

“Ditët e para pas humbjes, lojtarët nuk duan të luajnë, por ata nuk e kanë këtë opsion. Ne duhet ta përfundojmë sezonit. Ne duhet ta pranojmë humbjen dhe të ecim përpara. Kështu e ka sporti”.

“Duhet të kthehemi si kampionë, kjo është sfida jonë. Ndeshja e së martës do të jetë ilaçi më i mirë”.

Parisienët e kishin fituar ndeshjen e parë, në Old Trafford, me rezultat 2:0, në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve. Mirëpo, ata e humbën ndeshjen kthyese, me rezultat 3:1, duke bërë kështu që skuadra e Ole Gunnar Solskjaer të kualifikohet për shkak të golave si mysafir.

Ishte menduar se do të jetë e pamundur për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaerit ta arrijë këtë triumf, për shkak të dominimit që PSG-ja kishte shfaqur në ndeshjen e parë dhe për shkak të numrit të madh të lëndimeve në skuadrën e “Djajve të kuq”, gjithsej dhjetë.

Unitedi kaloi në epërsi qysh në minutën e dytë të ndeshjes, përmes Romelu Lukakus, i cili shënoi përsëri, pasi e barazoi rezultatin Juan Bernat. Dhe në momentet e fundit të ndeshjes, Rashford arriti ta shënojë penalltinë, të cilën gjyqtari e akordoi pasi Presnel Kimpembe e preku topin me dorë brenda zonës së penalltisë.

PSG-ja e dominoi ndeshjen, duke e mbajtur 73 për qind të topin gjatë ndeshjes, mirëpo francezët bënë vetëm katër goditje në drejtim të portës, po aq sa anglezët. Fati i tyre u përcaktua nga një penallti e Marcus Rashfordit, në minutën e katërt të minutave shtesë. /Gazeta Express/