Rënia e Murit të Berlinit 30 vjet më parë, shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë europiane dhe atë botërore.

Krahas faktorëve të shumtë ekonomikë dhe politikë që përmbysën përfundimisht Perden e Hekurt, ishin demonstrimet masive në Gjermaninë Lindore dhe emigrimi masiv në Perëndim që dha një kontribut vendimtar në atë kohë.

Nga mesi i vitit 1989, mijëra gjermano-lindorë filluan të largoheshin në mënyrë të paligjshme në Austri përmes Hungarisë, ku shumë prej tyre kërkuan strehim në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në Budapest dhe Pragë.

Situata u tensionua në vjeshtë. Një kronologji e vitit që ndryshoi historinë:

1989:

4 shtator: Rreth 1 000 protestues mblidhen para kishës së Shën Nikollës së Leipzig për të kërkuar lirinë e udhëtimit. Kjo shkakton “Demonstratat e së Hënës”, një seri protestash paqësore kundër qeverisë socialiste në Gjermaninë Lindore.

10 shtator: Hungaria njofton hapjen e kufijve me Austrinë për gjermanët lindorë, disa prej të cilëve po presin me javë të tëra. Deri në fund të tetorit, rreth 50 000 njerëz janë larguar për në Gjermaninë Perëndimore.

30 shtator: Duke folur nga ballkoni i ambasadës gjermane në Pragë, ministri i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher, njofton mijëra gjermanë lindorë të ndodhur brenda ambienteve të ambasadës: “Kemi ardhur tek ju për t’ju lajmëruar se sot emigrimi juaj …”. Pjesa tjetër e fjalimit u mbyt nga britma lumturie. Presioni mbi ambasadën vazhdon. Trenat largohen njëri pas tjetrit me rreth 17 000 të arratisur duke u larguar nga Praga, përmes Gjermanisë Lindore, për në Gjermaninë Perëndimore.

7 tetor: Protestat zhvillohen në disa qytete të Gjermanisë Lindore, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të vendit. Në disa raste ekziston reagim i dhunshëm nga forcat e sigurisë.

9 tetor: Gjatë Demostratës së të Hënës, më të madhes në Lajpcig deri më sot, me rreth 70 000 pjesëmarrës, thirrja përfundon: “Ne jemi populli, pa dhunë”.

18 tetor: Kreu i partisë komuniste dhe shtetit të Gjermanisë Lindore, Erich Honecker, pushohet nga postet e tij për t’u pasuar nga Egon Krenz.

3-4 nëntor: Rreth 5 000 të arratisur të tjerë hyjnë në ambasadë në Pragë. Nën presionin e qeverisë çekosllovake, udhëheqësit e Gjermanisë Lindore lejojnë që qytetarët e tyre të largohen për në Perëndim. Brenda katër ditësh, rreth 62 500 njerëz nisen për në Gjermaninë Perëndimore, sipas Ministrisë së Brendshme në Pragë.

4 nëntor: Një demostratë me rreth 500 000 dhe 1 milion protestues është mbajtur në sheshin Alexanderplatz në Berlinin Lindor.

7 nëntor: Qeveria e Gjermanisë Lindore jep dorëheqjen dhe brenda disa ditësh ristrukturohet Byroja Politike e vendit, komiteti qendror i partisë komuniste.

9 nëntor: Duke iu drejtuar një konference për shtyp, anëtari i Byrosë Politike, Guenter Schabowski, njofton se në të ardhmen, gjermanët lindorë do të lejohen të udhëtojnë më lirshëm. I pyetur se kur do të hyjë në fuqi dekreti i ri, Schabowski thotë: “Me sa di unë … është efektiv menjëherë … pa vonesë”. Lajmi përhapet shpejt, dhe mijëra qytetarë dynden përtej kufijve të hapur gjatë natës, teksa Muri i Berlinit bie, pas 28 vitesh. Deri në atë kohë, më shumë se 200 000 gjermanë lindorë kishin arritur në Gjermaninë Perëndimore.

1990:

18 mars: Për herë të parë në Gjermaninë Lindore mbahen zgjedhje të lira parlamentare.

31 gusht: Të dyja pjesët e Gjermanisë nënshkruajnë një traktat bashkimi në Berlinin Lindor. Të dy parlamentet miratojnë traktatin e kërkuar nga dy të tretat e shumicës, më 20 shtator.

3 tetor: Qindra mijëra qytetarë festojnë ribashkimin e Gjermanisë në rrugët e Berlinit dhe qyteteve të tjera./atsh/