Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka përkujtuar sot dy studentë, aktivistë të rënë në ballafaqim me forcat pushtuese serbe në Bregun e Diellit në Prishtinë, për çlirimin e Kosovës.
Ministri Cakaj u shpreh se dy të rinjtë Afrim Zhitia, 24 vjeç dhe Fahri Fazliu 26 vjeç, asnjëherë nuk e braktisën dashurinë për dijen, as ëndrrën për çlirimin e Kosovës.
Cakaj nënvizoi se dy të rinjtë ranë dëshmorë pas disa orësh luftime, ndērkohë që ata punuan për Shqipërinë dhe vepruan në shërbim të interesave të kombit shqiptar.
“Duke kujtuar Afrimin e Fahriun kujtojmë shumë më shumë se dy dëshmorë të kombit shqiptar: sot, duke risjellë në mendje rrugëtimin historik për çlirimin e Kosovës realisht risjellim në mendje rëndësinë e aspiratës për thellim të marrëdhënieve brendakombëtare dhe domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë!” – u shpreh Cakaj.
Sipas Cakajt, shembuj si Afrimi e Fahriu duhet të na obligojnë të gjithë për të nxitur thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë dhe unitetit kombëtar. /atsh