Procesi vijon ende në Elbasan dhe çdo qytet

240 mijë fëmijë kanë kryer vaksinat falas prej muajit tetor të këtij viti. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Ogerta Manastirliu. Prej muajit tetor ka filluar në të gjitha Qendrat Shëndetësore në mbarë vendin aplikimi i vaksinës së re, Rotavirus, për mbrojtjen më të mirë të shëndetit të fëmijëve.

Qëllimi i MSHMS është të nxisë vaksinimin si një investim afatgjatë për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Mjekja Jehona Medolli, për Tv Skampa shprehet se vaksinimi vijon intensivisht në çdo qendër shëndetësore dhe nga viti në vit njerëzit janë ndërgjegjësuar në lidhje me këtë fenomen.

Ndër të tjera, vetë ministrja Manastirliu është shprehur se vaksinimi është pjesë e paketës së kujdesit shëndetësor parësor dhe ofrohet falas për të gjithë, në çdo cep të vendit për moshat 0-18 vjeç, me qëllimin për të patur një mbulesë vaksinale sa më të lartë.

EDLIRA XHERRI