31% më shumë turistë të huaj në shtator
31% më shumë turistë të huaj në shtator

Vetëm në muajin shtator, në Shqipëri hynë 31% më shumë turistë të huaj se një vit më parë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Përgjigja ime”, duke iu përgjigjur një komentuesi i cili shprehej se “Shqipëria është kthyer në geto”.

“Ke parë ndonjë geto ku rritet turizmi, siç rritet vit pas viti në Shqipërinë e viteve të fundit? Po 31% më shumë turistë të huaj se sa vitin e shkuar vetëm në muajin shtator? Përse vijnë në këtë ‘geto’, apo për t’u vrarë dhe prerë nga krimi që sipas teje po bëka kërdinë? Si e shpjegon ti që në indekset europiane të krimit dhe sigurisë Shqipëria ishte e fundit para 5 vitesh dhe sot po i afrohet vit pas viti mesatares europiane”, iu drejtua Rama komentuesit.

Kryeministri tha se “Shqipëria nuk është ajo e edicioneve të lajmeve dhe faqeve të portaleve”. “Patjetër që do të shohësh akoma drejtorë e deputetë që përballen me drejtësinë, por kjo, jo sepse nuk ka pasur më parë, por sepse sot po luftohet në front kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Rama.

Asnjë nga grupet kriminale që po luftohen e ndalohen sot dhe asnjë nga ata që janë sot prapa hekurave, sipas Kryeministrit, “nuk u krijuan këto 5 vite, por prej vitesh të tëra bënin ç’të donin dhe nuk u hynte gjemb në këmbë”. /atsh