7 vende anëtare në Bashkimin Europian i kanë dërguar dje një letër kreut të Këshillit Europian, Jean Claude Juncker, ku kërkojnë një aksion konkret për të përmirësuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Letra e dërguar Junckerit, është nënshkruar nga ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio e nga ministrat e Jashtëm të 6 vendeve të tjera Austri, Poloni, Kroaci, Slloveni, Sllovaki dhe Republika Çeke. Ministrat e Jashtëm të 7 vendeve në fjalë, kërkojnë që Komisioni të përpilojë propozime konkrete për të përmirësuar efikasitetin e procesit të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Është e vërtetë se procesi i integrimit të këtyre vendeve vazhdon ngadalë e në mënyrë jo të rregullt. Duhet të vazhdojë të ecë pa vonesa të panevojshme”, shkruan agjencia italiane e informacionit “Ansa”, duke cituar një pjesë nga letra e shkruar nga 7 krerët e diplomacisë së 7 vendeve. Këta të fundit, kanë deklaruar në letër se janë të gatshëm të angazhohen në mënyrë konstruktive për reformën e zgjerimit të BE me qëllim nisjen e negociatave me Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut në mars të vitit 2020. Më 18 tetor të këtij viti, Bashkimi Europian, me në krye Francën, Danimarkën dhe Holandën, vendosën për shtyrjen e hapjes së negociatave për Shqipërinë, ndërsa pritet që mbledhja e ardhshme e unionit të zhvillohet në maj të vitit që vjen. Shtyrja e negociatave, u ka dhënë 6 muaj kohë qeverisë shqiptare dhe autoriteteve, që të ngrenë SPAK, BKH dhe më pas të luftojnë korrupsionin. Gjithashtu në fokus është dhe vijimi i reformave, që është një nga kushtet që ka vendosur Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave. Kjo do të thotë se deri në prill, duhet të kenë shkuar pas hekurave ministra, ish- ministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë. Për këtë qëndrim, kanë ardhur shumë reagime nga zyrtarë. Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, deklaroi se për këtë nuk e ka fajin Shqipëria, pasi ky shtet sipas tij ka bërë çdo gjë që i është kërkuar. Ndërsa Kreu i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker tha se JO-ja e BE, për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është një gabim historik, sipas tij, ndërsa deklaroi se Shqipëria dhe Maqedonia, e meritonin që të shpërbleheshin nga BE-ja, me lajmin e mirë të çeljes së bisedimeve për anëtarësim.