70 të rinj e të reja, burra dhe gra nga zona e Dumresë janë anëtarët më të rinj të Partisë Socialiste. Ata i janë bashkuar partisë më të madhe politike në vend si e vetmja mundësi për të çuar përpara Shqipërinë e për ta zhvilluar më tej atë atë.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, deputeti Musa Ulqini dhe Kryetari i Bashkisë së Belshit Arif Tafani mirëpritën në parti anëtarët e rinj ndërsa ndanë me ta dhe me qindra qytetarë të Belshit, lajmin e mirë të vijimit të projektit të Rilindjes Urbane, në fazën e dytë të tij.
“Unë sot kam ardhur në Belsh për të ndarë me ju lajmin e mirë të përfundimit të projektit të fazës tjetër të Rilindjes Urbane të Belshit, e që ka të bëjë me depozitimin në qeveri të aplikimit të Bashkisë së Belshit.

E njëjta pamje që kemi sot këtu, pas një viti do të jetë në të gjithë pjesën tjetër të liqenit për të përmbyllur një unazë të plotë përreth tij.
Ky është një lajm i mirë për të gjithë Belshin i cili tashmë është kthyer në destinacionin më të rëndësishëm turistik të qarkut të Elbasanit.
Por përveç pjesës së Rilindjes Urbane, unë nuk e quaj detyrën time, të Musait e të Arifit të kryer nëse ne nuk mbajmë fjalën deri në fund për çështjen e ujit të pijshëm. Ky është një angazhim të cilin vetë kryeministri e ka marrë këtu përpara jush e për të cilin Musai insiston vazhdimisht, tani që ne diskutojmë buxhetin” tha Balla.

Duke u bërë thirrje, sidomos të rinjve të bëhen pjesë e forcës së madhe të ndryshimit, Partisë Socialiste, Z. Tafani tha se vetëm kjo qeveri mund ta shndërronte Belshin, ashtu siç është sot:
“I gjithë ky transformim i qytetit, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në stilin e jetës, ka ardhur vetëm falë vëmendjes së Qeverisë Shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama.
Këto janë fakte dhe arsye që banorët e Dumresë dhe veçanërisht rinia çdo ditë vjen e anëtarësohet në PS dhe unë përfitoj për t’u bërë thirrje që të anëtarësohen edhe më shumë në këtë parti të hapur europiane, për të mirën dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Belshit dhe të gjithë zonës së Dumresë.”

Në ftesën e tij deputeti Musa Ulqini u bëri thirrje të rinjve të ndjekin modelet, të tilla si numri dy i PS, Taulant Balla i cili e ngjiti karrierën e tij shkallë-shkallë, ndërsa sot gjendet në qëndër të sulmeve dhe përbaltjes, pikërisht për shkak të forcës dhe vullnetit të tij:
“Kur unë isha në kulmin e angazhimit tim politik kishte 5 shkrime në një ditë kundër meje. Sot që Taulant Balla është në krye të luftës politike, është njeriu që sulmohet. Taulanti duhet të kuptojë që modelet në këtë vend nga opozita nuk çmohen, por përbalten. Por ju që jeni sot këtu duhet të ndiqni këto modele.”

Gjatë fjalës së tij Balla foli edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore, tashmë të dekretuara nga Presidenti në datën 30 Qershor ndërsa shprehu habinë e tij për këtë kërkesë të opozitës për t’i larguar zgjedhjet sa më shumë të jetë e mundur:
“Rreth 7 muaj na ndajnë nga zgjedhjet e 30 Qershorit.
Presidenti Meta vendosi që zgjedhjet të jenë në ditën e fundit të Qershorit. Unë propozova një datë në fillim të Qershorit, data 9 do të kishte qenë më mirë edhe për shkak të vapës, edhe për shkak të disa punëve në bujqësi. Por u ndjeva i habitur kur opozita nuk pranoi që zgjedhjet të ishin në 9 Qershor, por donin datën më të fundit të mundshme, 30 Qershorin. Është e vetmja opozitë në botë që kërkon që zgjedhjet të mbahen sa më larg. Në përgjithësi opozitat kërkojnë që zgjedhjet të mbahen sa më afër, por këta nga frika e humbjes i duan zgjedhjet sa më larg, të jetë edhe sa më shumë vapë. Por një gjë është e sigurt, këtu në Belsh, në Elbasan e në të gjithë Shqipërinë njerëzit dinë të bëjnë dallimin mes atyre që punojnë dhe mes atyre që dinë të flenë vetëm gjumë.
Kampioni i gjumit sot në Shqipëri është kryetari i opozitës dhe ky nuk është një avantazh për ne. Është një e keqe dhe një dëm për funksionimin normal të demokracisë në këtë vend.”
I shndërruar tashmë në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend, Belshi është shembulli më i qartë, më i bukur dhe më kuptimplotë sesi mund të transformohet një gërmadhë në një perlë të vogël, buzë liqenit. Zhvillimi i mëtejshëm i zonës së Dumresë nuk përfshin vetëm fazën e dytë të Rilindjes Urbane të qendrës, por edhe të zonave të tjera duke përfshirë të 82 liqenet që zbukurojnë këtë zonë dhe fshatrat rreth tyre.