Në borderotë e administratës tatimore, sot numërohen 720 mijë të punësuar nga 423 mijë që ishin në vitin 2013.

“Elementi i rritjes së punësimit, rritja e kontributeve dhe përmirësimi i raportit pensionist/përfitues me kontribues janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Kjo tregon se zhvillimi ka shkuar te qytetari”, deklaroi kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj gjatë debatit në Komision mbi projektbuxhetin e vitit 2020.

Sipas Ahmetaj, ditën që kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet kanë qenë 423 mijë të punësuar, sot janë 720 mijë të punësuar, pra numri i të punësuarve është gati dyfishuar.

“I gjithë diskutimi që bëhet për rritjen ekonomike dhe vendet e punës, ai premtim që ka bërë kryeministri për 300 mijë vende pune, është aty. Është dyfishuar punësimi, është rritur paga reale e mesatare, që do të thotë në mesazhin politik, se kjo mazhorancë e ka orientuar rritjen ekonomike drejt qytetarit”, theksoi ai.

Duhet të theksojmë këtu, vijoi Ahmetaj, se gati 96% të të punësuarve iu kemi ulur taksat dhe  çdo vit rriten të ardhurat për frymë. “Kjo tregon transferimin e rritjes ekonomike tek qytetarët”, bëri të ditur ai.

Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se efekti i rritjes së punësimit në të gjithë Ballkanin është më i larti në të gjithë rajonin, si rezultat i gjitha masave të marra.

“Edhe një reference e fundit e raportit të Bankës Botërore tregon se nga 62 mijë vende të reja pune, 30 mijë i takonin vetëm Shqipërisë”, deklaroi Denaj.

Efektet, tha Denaj, nuk janë vetëm në kontekstin e numrit, por edhe vlerës, pasi është e njohur e gjithë përpjekja për të ulur efektin e taksimit dhe për të krijuar, këtë burim te konsumi familjar.

“Duhet të përmendim dhe të gjitha shërbimet falas që shtohen, në raport me shëndetësinë apo arsimin. Po ashtu, investimet e programuara në këto dy sektorë, një pjesë e mirë e të cilave shkojnë për shumë shërbime për qytetarin, të cilat krijojnë një bazë të mirë të mirëqenies së tyre ekonomike edhe pse jo e argumentuar drejtpërdrejt te të ardhurat mujore”, deklaroi Denaj.

Në vitin 2018 Shqipëria u renditet nga institucionet financiare ndërkombëtare si vendi me papunësinë më të ulët, rreth 12.7% dhe me papunësinë e të rinjve më të ulëtën në rajon.

“E morëm nivelin e papunësisë 18.7%”, tha kreu i komisionit Ahmetaj./a.gjonaj/