Ahmetaj: Në 2019 ulim borxhin publik me rreth 2% në nivelin 64.9% të PBB
Ahmetaj: Në 2019 ulim borxhin publik me rreth 2% në nivelin 64.9% të PBB

Niveli i borxhit publik gjatë vitit 2019 do të ulet me rreth 2% duke shënuar nivelin 64.9% të PBB kundrejt nivelit prej 66.9% të PBB, i pritshëm për vitin 2018.

Kështu deklaroi sot në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj gjatë diskutimit në parim të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik të projektbuxhetit 2019, ku ndër të tjera theksoi se, “vlera e Produktit të Brendshëm Bruto, (PBB) nominale në lekë, e cila do të përdoret për llogaritjen e raportit të borxhit publik ndaj PBB për vitet buxhetore që planifikohen dhe për vitin pararendës, nuk mund të jetë më e lartë se vlera respektive e parashikuar ose vlerësuar në raportin “Perspektiva ekonomike botërore” (World Economic Outlook), të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i publikuar së fundi”.

Ahmetaj tha se, “Ne do të vijojmë këtë trend rënës të borxhit publik në periudhën afatmesme dhe afatgjatë deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto”. /atsh