ATSH/- Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua sot workshop-i “NanoAlb”, i njësia e re e ngritur pranë ASH për nanoteknologjinë, me iniciativën e akademikut Arben Merkoçi.

Kjo njësi përbëhet nga akademiku Arben Merkoçi, drejtues i saj, prof. Majlinda Vasjari (Universiteti i Tiranës) e prof. Kledi Xhaxhiu anëtar, si dhe një rreth i gjerë bashkëpunëtorësh.

Në këtë workshop ishin të pranishëm kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi, ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, ambasador i Spanjës, Vicente Canelles, akademikë, rektorë të Universiteteve e shkollave të larta në Shqipëri, pedagogë, profesorë, punonjës kërkimor-shkencorë etj.

Në fjalën e tij, kryetari i ASH-së, Gjinushi tha se ” NanoAlb së pari ka si mision të evidentojë kërkuesit e kësaj fushe tek ne, nivelin e tyre, njësitë ekzistuese, si departamente etj, që kanë për objekt të punës së tyre: nano-shkencën e nano-teknologjinë. Vlerësojmë e përgëzojmë faktin se ende pa u ngritur mirë njësia, ajo ka krijuar tashmë një rreth bashkëpunëtorësh mjaft premtues, të pranishëm në sallë. Ata përfaqësojnë njësitë kryesore të kërkimit në këto fusha pranë IAL në Shqipëri, Kosovë etj,e kjo është bërë e mundur pasi prof. Merkoçi ka vite që përpiqet ta kryejë këtë rol e jo pa sukses”.

“Nano teknologji – nano shkencë, përbëjnë një ndër 4 fushat e së ardhmes. Hyjnë në shkencat që po revolucionarizojnë kërkimin e teknologjitë në shumë disiplina, e përballë këtij zhvillimi të vrullshëm Shqipëria është pak e përgatitur, prapambetja është e madhe, por edhe shpresa gjithashtu, pasi edhe në këto periudha jo të favorshme për shkencën e kërkimin tek ne, për Akademinë e Shkencave, për Institucionet e Arsimit të Lartë, për arsimin në tërësi, përsëri shohim se ka mjaft kërkues të pasionuar që duhen mbështetur, duhen nxitur, duhen motivuar, që i duhen krijuar kushtet, për të rritur bashkëpunimin midis tyre. Ashtu siç ka mjaft potenciale të nivelit ndërkombëtar, ndër shqiptarët, që studiojnë apo punojnë jashtë vendit, e një ndër ta, për fatin tonë të mirë është edhe akademik Merkoçi”,- nënvizoi Gjinushi.

Sipas tij, njësisë nuk do t’i mungojë ndihma e bashkëpunimi me simotra në Europë e më gjerë, ajo tashmë ka krijuar lidhje shumë të mira në Spanjë e Japoni.

“Shkalla e suksesit të saj do të jetë zgjerimi i këtij bashkëpunimi nëpërmjet projekteve të përbashkëta”-, shtoi Gjinushi.

Kreu i ASH-së u shpreh se “qëllimi i ngritjes së kësaj njësie të re, që do të pasohet me njësitë e tjera në fusha po aq me perspektivë si ajo e bioteknologjisë se bioshkencës, teknologjitë e informacionit e inteligjenca artificiale, është koordinimi i kërkimit e jo monopolizimi i kërkimit prej ASH”.

Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, shprehet se “shumë shkencëtarë shqiptarë kontribuojnë anë e mbanë botës. Shkencëtari shqiptar Arben Merkoçi në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë vjen të kontribuojë për të përfshirë Shqipërinë dhe kolegët/et shqiptarë në rrjetin botëror ku Prof. Merkoçi drejton”.

“Shqipëria ka studiues që mund dhe duhet të japin për shkencën. Akademia e Shkencave mbështeti dhe krijoi njësinë shqiptare të nanoteknologjisë. Ekonomia, shëndetësia, siguria ushqimore, mjedisi dhe sektorë të tjerë kanë nevojë për nanoteknologji dhe mendjet e mençuara shqiptare”,