Shkon në tre numri i viktimave nga aksidenti i rëndë që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kavajës.Viktimat janë dy të rinjtë; Gentjan Belba e Vilson Cara që po ktheheshin nga një festë dhe Lumturie Demrozi 46-vjeç, ndërsa vajza e saj është e plagosur në spital.

Makina që u aksidentua në Kavajë dhe 2 nga 3 personat që vdiqën, Gentian Belba, Vilson Cara

Shkon në tre numri i viktimave nga aksidenti i rëndë që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kavajës, ndërsa një vajzë 21-vjeçe është e plagosur në spital jashtë rrezikut për jetën.

Mbrëmë humbën jetën Lumturie Demrozi 46-vjeç, dhe pasagjeri i makinës që u aksidentua Gentjan Belba 23-vjeç, ndërsa në orët e para të ditës së sotme vdiq në spital shoferi i ‘Benz’-it me targa AA 615 VO, Vilson Cara 24-vjeç. Sipas të burimeve të para mësohet se të rinjtë po ktheheshin nga një festë.

Rreth orës 22.30 të mbrëmjes së djeshme në dalje të qytetit të Kavajës ‘Benz’-i i marrë me qira ku po udhëtonin dy të rinjtë sipas policisë për të shmangur disa këmbësorë që tentonin të kalonin nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër ka humbur kontrollin, dhe si pasojë edhe e lagështirës mjeti është përplasur me tabelën e një karburanti.

Por pavarësisht tentativës makina ka marrë përpara nënën bashkë me vajzën. Përplasja ka qenë fatale për gruan që humbi jetën në vend nga goditja, ndërsa vajza Xh. Demrozi 21-vjeçe ndodhet në spitalin rajonal të Durrësit.

Nga përplasja e makinës me tabelës e karburantit humbi jetën në vend edhe pasagjeri Gentjan Belba që po udhëtonte në ‘Benz’ me Vilson Carën, ndërsa ky i fundit mori plagë të rënda duke ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa shpejtësia dhe lagështira në rrugë sollën humbjen e kontrollit dhe daljen e makinës nga rruga. Në vendin tonë thuajse cdo ditë regjistrohen aksidente me pasoja duke bërë që bilancet të jetë të frikshme.