ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se ka ndaluar hyrjen në tregun shqiptar në pikën kufitare të Hanit të Hotit të mbi 4 tonëve marmaladë, nisur nga Serbia me destinacion qytetin e Shkodrës si të papërshtatshme për konsum.

“Nga kontrollet e kryera prej drejtorisë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Shkodër në pikën e inspektimit kufitar, Hani i Hotit u konstatua një sasi prej 4.032 ton produkt ushqimor “Marmaladë”(e ambalazhuar në kova plastike 14 kg), e nisur nga Serbia me destinacion qytetin e Shkodrës, pasi në momentin e hyrjes në vendin tone, i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma e jetëgjatësisë dhe për rrjedhojë nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës.

“Siguria ushqimore është prioritet i punës tonë dhe për asnjë rast nuk do të ketë tolerancë ndaj abuzuesve. AKU shprehet e gatshme për të mos lejuar asnjë praktikë në dëm të konsumatorëve duke nxitur zbatimin e ligjit dhe forcimin e masave parandaluese”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp.