Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të përmbushjes së misionit të tij për mbrojtjen e shëndetit dhe interesit të konsumatorit si dhe garantimin e sigurisë ushqimore në vend, gjatë javës së fundit (11-17 tetor) ka kryer mbi 1915 kontrolle në stabilimentet e biznesit ushqimor dhe në Pikat e Inspektimit Kufitar.

AKU njofton sot se, në totalin e kontrolleve, 422 inspektime janë kryer në bazë të planit të programuar vjetor dhe 149 inspektime të paprogramuara sipas kërkesave, për efekt të licencimit (ku evidentohen restorante, markete, supermarkete, thertore).

Mbi 180 mostra zyrtare janë analizuar në laboratorët ushqimorë për 401 tregues analitik, nga të cilat 2 kanë rezultuar jokonform standardeve të ushqimit.

Sipas AKU-së, në Pikat e Inspektimit Kufitar janë kontrolluar 1345 ngarkesa, duke marrë 62 mostra për analiza laboratorike të cilat kanë rezultuar konform treguesve të sigurisë ushqimore.

Gjatë kësaj jave bën të ditur AKU, janë vendosur 109 masa administrative “Paralajmërim”; 13 masa administrative “Gjobë” me vlerë 1.670.000 lekë; 1 “Ndërprerje aktiviteti” të operatorit të biznesit; masë administrative “bllokim produkti” për 0,1 ton (pije freskuese, ëmbëlsira, patetina, komposto, nënprodukte mishi, produkte të mbrojtjes së bimëve etj);  masë administrative “asgjesim produkti” për 16,3 tonë (pije freskuese, kafe, çaj, aditivë ushqimorë, produkte të ndryshme ushqimore etj).

Sipas AKU-së, janë adresuar 19 kërkesa për certifikimin e 169 etiketave, pas shqyrtimit  për përputhshmëri me kërkesat ligjore, janë miratuar 117 etiketa, ndërsa 52 etiketa janë kthyer për korrigjim.

Gjatë kësaj jave, përmes kanaleve të saj të komunikimit me publikun (nëpërmjet e-mail-it, numrit jeshil dhe rrjeteve sociale), AKU ka marrë 6 raste denoncimi nga qytetarët, citon njoftimi i AKU-së.