Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Robert Lili zhvilloi sot një takim me krerët e drejtorive rajonale, për t’i kërkuar që t’i përmbahen planeve të tyre të monitorimit, duke vepruar brenda kuadrit ligjor dhe me etikë maksimale përballë operatorëve të biznesit ushqimor.

Krahas kontrolleve për të garantuar cilësinë e produkteve ushqimore, sipas Lilit, inspektorët e AKU-së nuk duhet të harrojnë dimensionin këshillimor ndaj bizneseve.

Po kështu, ai kërkoi trajtim me seriozitet maksimal të çdo denoncimi apo sinjali që vjen nga qytetarët për cenim të sigurisë ushqimore.

“Sa i përket tregtimit të produkteve nëpër rrugë, AKU duhet të ndërtojë një bashkëpunim më të ngushtë me pushtetin lokal në çdo bashki të vendit. Siguria ushqimore është një çështje e përbashkët, për të cilën duhet të kontribuojmë të gjithë”, – u shpreh ndër të tjera, Lili. /atsh