Sipas albanologut të njohur Elsie, alfabeti më i vjetër original i shqipes është përdorur në Dorëshkrimin e Ungjillit të Elbasanit (1761). Dorëshkrimi njihet si Anonimi i Elbasanit dhe ruhet në arkivën e shtetit në Tiranë. Ai vërteton përpjekjet e intelektualëve shqiptarë për të zgjidhur hershëm dilemën e alfabetit shqiptar.

Dorëshkrimi ka përmasat 10 me 7 cm dhe përmban një domethënie të madhe historike. Ai është përkthimi më i vjetër i Biblës ortodokse të Shën Matheus në Shqipëri. Përmban 6113 fjalë dhe është shkruar me një alfabet prej 40 shkronjash, 35 të të cilave përsëriten normalisht dhe 3 shkronja janë të rralla dhe dytësore.

Në alfabetin e përdorur vihen re ndikimet greke dhe sllave por shumë prej shkronjave të këtij alfabeti janë krijime të reja, të painfluencuara nga gjuhët fqinje. Ai përdor një karakter për fonemat përveç n-së e cila ka dy karaktere dhe g-së me tre karaktere.

Sistemi gjuhësor, i përdorur në Dorëshkrim është i pastër , i saktë dhe i mirëmenduar nga krijuesi i tij. Gjë që tregon se ai është krijuar nga një personalitet i kohës. Dorëshkrimi i Ungjillit të Elbasanit është gjetur në Manastirin e famshëm ortodoks të Shën Vladimirit. Historinë e Shën Vladimirit dhe manastirit e kemi përmendur në një shkrim të mëparshëm, po ka vend për tu shënuar dhe gjëra të reja. Eshtrat e shenjtorit shqiptar Shën Vladimir u vendosën në manastir që mori emrin e shenjtit nga princi shqiptar Karl Topia.

Manastiri është shumë i famshëm dhe thuhet se aty ka fjetur për dy ditë dhe Musolini gjatë fushatës së tij të pasuksesshme në Greqi gjatë luftës së dytë Botërore. Më 14 mars 1944 manastiri u dogj nga gjermanët.

Dorëshkrimi i Ungjillit të Elbasanit ishte shpëtuar që para Luftës së Dytë Botërore nga patrioti dhe intelektuali i madh Lef Nosi, një ndër më të njohurit patriotë të Kongresit të Elbasanit që u bë drejtor i Normales së këtij qyteti dhe pas Shpalljes së Pavarësisë do të zinte pozicionin e ministrit të Postë Telegrafës në qeverinë e përkoshme.

Në periudhën mes dy luftrave ky patriot do e bënte këtë ungjill pjesë të koleksionit të tij, duke shpëtuar një vepër me rëndësi të madhe historike.

Pas luftës së dytë Botërore gjuhëtari i njohur Dhimitër Shuteriqi do të shkruante disa artikuj në gazetën e njohur “Zëri i Popullit” dhe më pas shumë studime interesante do të kryente dhe gjuhëtari Mahir Domi.