Zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones ka kërkuar dje që mazhoranca dhe opozita të gjejnë sa më shpejt gjuhën e dialogut mes tyre. Teksa situata politike është tejet e acaruar, diplomatja amerikane është shprehur hapur se liderët politik duhet të bashkëpunojnë për të mirën e vendit. Po ashtu, zyrtarja e ambasadës amerikane deklaroi se ka ardhur koha të mbyllet sa më shpejt reforma zgjedhore. Deklarata e saj e lëshuar gjatë një mëngjesi pune me gratë në politikë në kuadër të fushatës për kancerin e gjirit, ishte një sinjal i qartë se ndërkombëtarët duan që të arrihet një konsensus për zgjedhjet vendore dhe reformën zgjedhore. “Kur t’i lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni për një kauzë më të madhe, do ta drejtoni këtë vend me frymëzim. Ju, gratë e Shqipërisë, mund të jepni shembuj për vajzat e reja, udhëheqëset e ardhshme të këtij vendi, por gjithashtu edhe për kolegët tanë meshkuj. Kështu, koha është tani. Dhe, mundësia është këtu. Udhëheqëset shqiptare që punojnë së bashku për të dhënë një shembull të shkëlqyer për qytetarët tuaj. Zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta edhe reformë zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundshme me udhëheqës të mirë në krye, në një bashkim përpjekjesh”, tha Leyla Moses-Ones. Miratimi i reformës zgjedhore ka qenë kryefjala jo vetëm e SHBA, por edhe e BE. Reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka komentuar pak kohë më parë rezultatet e vizitës në Tiranën zyrtare, të zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer. Duke iu referuar procesit zgjedhor, ai tha se reforma mund të realizohet edhe në kushtet aktuale ku ndodhet Kuvendi shqiptar. Ai u shpreh se mazhoranca dhe opozita e re mund ta realizojnë së bashku reformën zgjedhore. “Ne duam lajme të mira nga ky vend, në mënyrë kjo ta ndihmojë Shqipërinë në Këshillin e Europës në qershor”, u shpreh Fleckenstein. Në këtë këndvështrim, ai duket se ka lëshuar edhe mesazhin tjetër të rëndësishëm se ecuria e zhvillimeve politike të vendit tonë mbeten vendimtare për çeljen apo jo të negociatave me Bashkimin Evropian gjatë muajit qershor.

SHBA mbështet Shqipërinë

Zëvendës ambasadorja amerikane u shpreh se SHBA ka mbështetur shumë nisma në Shqipëri, të cilat kanë të bëjnë me fuqizimin politik dhe ekonomik. Leyla Moses-Ones deklaroi se prioriteti kryesor i Amerikës është fuqizimi i grave në politikë, duke shtuar se ky investim ndihmon vendet të arrijnë paqe. “Fuqizimi i grave dhe vajzave është ndër prioritetet kryesore të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, strategjia jonë e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson faktin se investimi tek gratë i ndihmon vendet të arrijnë paqe dhe begati më të madhe. Gjatë viteve, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetur një numër programesh dhe nismash këtu në Shqipëri që kanë kontribuar në fuqizimin politik, social dhe ekonomik të grave. Për 10 vjet, kemi mbështetur “Marshimin për kancerin e gjirit” që mbahet çdo vjeshtë. Kjo është një fushatë e shkëlqyer për të përkrahur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe për të ndihmuar për të shpëtuar jetë”, u shpreh Moses-Ones.

Elisjeda Kiko