Një nga tre personat që ndodheshin në automjetin që qëlloi në drejtim të prokurorit Arian Ndoja, shoferit të tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahos, u arrestua dje, ne vijim te hetimeve dhe kontrolleve te bera ne tri qytete.

Bëhet fjalë për Redjan Rrajën, 34-vjeçarin që për Policinë, por edhe për median, nuk është një emër i panjohur, të paktën gjatë tri viteve të fundit, ku rezulton i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Redjan Rraja është personi i parë që arrestohet nga Policia në lidhje me anëtarin e së premtes te Mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur prokurori Ndoja, miku i tij, Laho apo i njohur me pseudonimin “Rrumi”, por edhe si Pëllumb Muharremi, si dhe shoferi Maloku.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Policia ka ushtruar kontrolle të shumta në disa banesa për zbardhjen e atentatit, që tronditi vendin katër ditë më parë.

Kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës në tri qytete: në Tiranë, Krujë dhe Lushnjë, ku sipas burimeve zyrtare, janë gjetur prova të rëndësishme për dokumentimin e atentatit.

Zyrtarisht, Policia tha dje se provat e gjetura janë duke iu nënshtruar analizës nga ana e grupit hetimor dhe një pjesë tjetër e tyre është dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Policisë Shkencore.

Policia ka identifikuar të paktën 3 persona, që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në atentat, ndërsa janë duke u kryer hetime për të gjetur persona të tjerë të përfshirë.

“Për dokumentimin ligjor të këtij procedimi penal, për zbulimin e autorëve të mundshëm të kryerjes së kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me autorët e atentatit me tri të plagosur, iu kërkua Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda lejimi i kontrollit të banesave të 11 shtetasve me banim në Krujë dhe të katër shtetasve me banim në Tiranë dhe në Lushnjë. Si rezultat i këtyre kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale, që dyshohet se kanë lidhje me autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Provat e sekuestruara po i nënshtrohen një analize të hollësishme nga grupi hetimor dhe një pjesë e tyre u dërguan në Laboratorin Shkencor për ekzaminim të mëtejshëm”, njoftoi dje Policia.

PANORAMA