Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave, pasi të dy vendet kanë treguar përkushtim të fortë për reforma të forta.

Duke falënderuar Gjermaninë për qëndrimin e saj të qartë si kristal në favor të negociatave, Balla theksoi se Reforma në Drejtësi në Shqipëri është një model për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Mirënjohës për Gjermaninë për një qëndrim kaq të qartë – në favor të fillimit të bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet e meritojnë këtë hap përpara pasi kanë treguar përkushtim të fortë për reforma të forta. Reforma në Drejtësi në Shqipëri është një model për vendet e tjera të BB”, theksoi Balla.

Gjithashtu Balla ka falënderuar edhe grupimin e Partive Popullore Europiane për mbështetjen, duke treguar një angazhim të fortë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij europiane./atsh/