Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla përsëriti edhe njëherë se dekreti i presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit nuk ka vlerë juridike. I pyetur nga gazetarët pas takimit që zhvilloi pasditen e djeshme me një grup deputetësh të Bundestagut, Balla theksoi se ditën e enjte Kuvendi do të ketë një diskutim të gjerë për këtë çështje dhe në fund do të ketë një rezolutë, është një përgjigje institucionale dhe qasje shumë institucionale. “Përballë një akti antikushtetues duhet një sjellje e përgjegjshme dhe kushtetuese me të gjitha hapat që përfshin. Jo vetëm Kuvendi, jo vetëm vendimmarrja e djeshme e KQZ, por çdo vendimmarrje, sepse edhe ju e dini, jashtë mikrofonave bini dakord me mua që Presidenti në një republikë parlamentare nuk e ka këtë kompetencë. Presidenti mund të ketë shumë dëshira, por jo të gjitha dëshira mund t’i shndërrojë në dekrete”, tha Balla. Kreu i grupit konfirmoi se mazhoranca nuk është tërhequr nga vendimi për të kërkuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. I pyetur nga gazetarët nëse PS është tërhequr nga vendimi, referuar rezolutës që është depozituar në Kuvend dhe ku nuk përmendet shkarkimi i Metës, Balla dha tha: “Aspak. Më vjen mirë edhe keq gjithashtu që një pjesë e juaja nuk e ka lexuar siç duhet draftin e rezolutës, e cila pikësëpari ka për qëllim të qartësojë se Shqipëria është republikë parlamentare, që presidenti ka bërë një akt antikushtetues dhe të tjerat do të jenë në vijim”. Socialisti reagoi dhe pas konferencës për shtyp të presidentit Meta, duke treguar dhe një herë se PS nuk tërhiqet nga 30 qershori. “Dëgjova nga presidenti Meta që ka qenë i sëmurë në këtë periudhë dhe nuk dëgjon mirë! I uroj në emër të grupit parlamentar shërim të shpejtë dhe meqë nuk dëgjon mirë po ia shkruaj si kryetar i grupit: Zoti President ju nuk keni asgjë në dorë lidhur me datën e zgjedhjeve të dekretuar prej Jush. Zgjedhjet do te mbahen më 30 qershor, në respekt të plote të dekretit të nxjerre prej Jush në respekt të detyrimit kushtetues që keni. Ndërsa ç’dekreti Juaj është një lajthitje antikushtetuese, që meriton të gjithë vëmendjen e Parlamentit, të cilën do ta keni të plotë të enjten, ku do të miratojmë edhe rezolutën përkatëse lidhur me lajthitjen në fjalë”, shkruan Balla.