Balla: Mbajmë fjalën e dhënë për statusin e minatorit
Balla: Mbajmë fjalën e dhënë për statusin e minatorit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi sot një tryezë bisedimi për trajtimin e veçantë financiar të naftëtarëve, minatorëve dhe metalurgëve.

Në fjalën e tij Balla u shpreh se ”Partia Socialiste ka një angazhim të veçantë përkundrejt tri shtresave për të cilat i kanë falur pjesën më të madhe të jetës së tyre tre profesioneve më të vështira, atyre që kanë punuar gjatë gjithë jetës së tyre në miniera nën tokë, të punonjësve të industrisë dhe të gazit, por dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji.

Balla theksoi se “për t’i qëndruar strikt fjalës së dhënë kemi përpara një projekt, i cili vendos trajtimin financiar suplementar për profesionet e vështira dhe shumë të vështira, madje të minatorëve, të punonjësve të naftës e të gazit dhe metalurgëve. Ky projektligj është trajtim financiar shtesë mbi atë që ata kanë fituar deri më tani dhe dua ta them që kjo nuk është një status për këto profesione, pasi statuset janë të një spektri më të gjerë, që lidhen me përfitimin financiar që lidhen në moshë pensioni, por është një trajtim financiar suplementar”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste deklaroi se ”përfshirja në këtë ligj, për këto tre profesione të sipërcituara është bërë për shkak të ngjashmërisë që kanë këto në lidhje me vështirësinë e punës dhe brenda këtij parimi, është bërë dallimi mbi dy nivele: mbi punë të vështira dhe shumë të vështira, dhe nuk është rasti i parë që ky projektligj hartohet për disa kategori të ndryshme pune, por me karakteristika tërësisht të ngjashme dhe që adresojnë problematikë të njëjtë. Mund të sjellim si shembull përfitimet suplementare tek ushtarakët, punonjësit e policisë, punonjësit e shërbimit të Informacionit Kombëtar, policisë së burgjeve, Gardës së Republikës, zjarrfikëset etj.

Balla nënvizoi se “ky projektligj u jep pension para kohe deri në 10 vjet para moshës normale të daljes në pension dhe këtu zgjidhim një çështje, e cila ka hasur jo pak diskutim. Këtyre tre profesioneve u jep shtesë për gjithë pensionet aktuale dhe ata që do dalin në periudhën afatshkurtër, kjo shtesë mbi pension nuk është financuar nga kontributet e paguara, por është një privilegj i pastër që u bëhet këtyre kategorive, financuar nga buxheti i shtetit”.

Në fund Balla tha se “këtij ligji i është përllogaritur edhe vlera totale që shkon për financimin e të tria shtresave. Për minatorët përllogariten gjashtëmbëdhjetë mijë përfitues në vlerën e pesëqind milionë lekëve të reja në vit. Naftëtarët, shtatëdhjetë mijë përfitues, e vlera shkon në shtatëqind e pesëdhjetë milionë lekë në vit, për metalurgët dymijë e pesëqind përfitues në vlerën e dyqind e pesëdhjetë milionë lekëve në vit. Pra në total, trajtimi i ri financiar kalon nëpërmjet këtij projektligji, i cili e merr urdhrin e diskutimit që nga sot dhe do të vijojë midis një procesi konsultash.

Nga ky projektligj përfitojnë njëzet e pesë mijë punonjës të këtyre tri kategorive dhe vlera shkon në pesëmbëdhjetë milionë dollarë në vit nga angazhimi i buxhetit të shtetit përkundrejt këtyre tre profesioneve”, – ka përfunduar Balla./atsh