Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka zhvilluar një takim mirëseardhje e ambasadoren e ShBA Yuri Kim.

Në një reagim në Facebook, pas takimit Balla tha se ShBA janë aleati dhe partneri strategjik i Shqipërisë.

“Për ne marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore në nivelin e partneritetit strategjik dhe përbëjnë themelin e politikës sonë të jashtme. Bashkëpunimi me SHBA është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, të luftës kundër terrorizmit”, shkruan Balla.

Sipas tij, mbështetja që SHBA i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë nëpërmjet agjencive të saj për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, duhet të shoqërohet tashmë me investime të drejtpërdrejta amerikane veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë shqiptare.

Realizimi i këtij synimi duhet të jetë një prioritet thelbësor, i dorës së parë në marrëdhëniet tona me Shtet e Bashkuara të Amerikës. Numri i bizneseve amerikane, apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, është ende shumë i vogël krahasuar me mundësitë dhe ofertën tërheqëse të Shqipërisë për sipërmarrjen amerikane.

/Ora News.tv/