Banka e Shqipërisë: Ambienti financiar është stimulues, norma e interesit të lekut 1% nuk ndryshon
Banka e Shqipërisë: Ambienti financiar është stimulues, norma e interesit të lekut 1% nuk ndryshon

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot, se “ambienti i brendshëm financiar paraqitet stimulues, në përgjigje të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Në këto kushte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.00%”.

Gjithashtu tha ai, Këshilli nuk ndryshon norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0,10% dhe norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, qëndron në nivelin 1,90%.

Në konferencën për shtyp, Guvernatori bëri të ditur se, “ecuria e kursit të këmbimit shfaqet relativisht e stabilizuar: raporti i këmbimit të lekut me euron është më afër ekuilibrit, ndërsa luhatjet e tij duket se janë diktuar nga faktorë sezonalë”.

“Primet e rrezikut në tregjet financiare janë të ulëta, ndërsa gjendja e likuiditetit është e kënaqshme. Normat e interesit të kredive, depozitave dhe të letrave me vlerë të qeverisë janë pranë niveleve minimale, duke nxitur rritjen e kredisë dhe duke inkurajuar rritjen e konsumit dhe të investimeve”, – tha Sejko. /atsh