Banka e Shqipërisë, monitorim transaksioneve të bankave

Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Bankës së Shqipërisë, që në fokus të aktivitetit të saj për vitin 2019 të ketë monitorimin e bankave, në veprimtarinë e shit-blerjeve dhe transaksioneve që tashmë kanë hyrë në një dinamikë te re zhvillimi.

Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi për aktivitetin e BSH-së citohet se, “Banka e Shqipërisë duhet të monitorojë në vazhdimësi situatën e bankave që gjatë  vitit  2018  kanë realizuar transaksione tregtare të formës bashkim me përthithje dhe studimin e fenomenit nga këndvështrimi i analizës së tregut bankar, për të nxitur efektet pozitive dhe për minimizuar ato të padëshiruara, si dhe vlerësimin nëse ky proces do të vijojë dhe do të prekë edhe banka të tjera” .

Nga ana tjetër Kuvendi e ngarkon Bankën me detyrën e analizimit të rritjes së portofolave të kredisë sipas sektorëve, duke detajuar rritjet sektoriale të kredisë me risqet e sektorëve  për të identifikuar radhën prioritare të inspektimeve të lidhura me riskun më të lartë. /atsh