Bashkëpunimin financiar dhe ai teknik i qeverisë gjermane për Shqipërinë, dhënë në projekte të ndryshme në fushën e energjetikës, infrastrukturën sociale, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, si bujqësia apo turizmit llogaritet mbi 1 miliard euro.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj si dhe Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf morën pjesë në ceremoninë e çeljes së panairit të hapur për të prezantuar punën e GIZ në Shqipëri, tema e të cilit është “Talente dhe ide për të ardhmen e Shqipërisë”, organizuar me rastin e “Tetorit gjerman”.

Denaj vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ky bashkëpunim, tha ajo, është mbështetur në dy shtylla komplementare, bashkëpunimin financiar dhe bashkëpunimin teknik, ku mbështetja është dhënë në projekte të ndryshme në fushën e energjetikës, infrastrukturën sociale, por edhe në fusha të tjera të ekonomisë, si bujqësia apo turizmit.

“Janë më shumë se 1 miliardë euro dhe pothuajse më shumë se 200 milionë asistencë teknike, të cilat përfshijnë të gjithë këto fusha. Fokusi i bashkëpunimit teknik që u prezantua edhe në panair është mbështetja e shoqërisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian dhe kjo është një perspektivë e dëshiruar nga të gjitha palët”, u shpreh Denaj.

Qeveria Federale Gjermane mbështet prej shumë vitesh zhvillimin e qëndrueshëm dhe social të ekonomisë, si dhe trajnimin profesional në Shqipëri. Qëllimi është integrimi në tregun europian dhe përmirësimi i të ardhurave dhe mundësive të punësimit. Në stenda të ndryshme informacioni, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) u prezantuan në formën e ekspozitave, talk show dhe videove disa histori suksesi të të rinjve me idetë e tyre të biznesit, gra të suksesshme në Shqipëri, oferta të trajnimeve profesionale të orientuara nga tregu i punës si dhe shembuj të angazhimit qytetar për një mjedis dhe ujë të pijshëm të pastër, lëvizshmëri dhe efiçencë në energji etj.

/atsh