Verdheblutë fituan 79-44, synojnë ngjitjen në Superiore

Ekipi i basketbollit të Elbasanit për meshkuj këtë sezon pretendon ngjitjen në Superiore, teksa këtë sezon ka bërë afrime shumë të rëndësishme në skuadër. Alban Çela, Ramis Uruçi, Indrit dhe Bruno Skëndaj, Samuel Skëndaj, Xhino Leka dhe të gjithë me radhë, me në krye trajnerin Edmond Sinani, kanë krijuar një ekip simpatik që e ka rikthyer Elbasanin pretendent për ngjitjen në Superiore. Pas dy ndeshjeje të para në kampionat, verdheblutë kanë sigluar dy fitore, teksa pasditen e djeshme kanë mundur pa vështirësi skuadrën e Flamurtarit 79-44. Ka qenë një përballje e dominuar tërësisht nga vendasit, të cilët nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fitoren, duke trumfuar tek të gjitha setet me radhë. I pari u mbyll 22-6, ndërsa i dyti 21-5. Pas pushimit, tekniku Sinani bën shumë lëvizje në fushë, duke i dhënë mundësinë edhe lojtarëve të tjerë, por gjithsesi fiton duke bërë adetin edhe në dy setet e fundit me rezultatin 17-15 dhe 19-18. Në fund të ndeshjes, tekniku Sinani dhe basketbollisti Leka u shprehën të kënaqur me ecurinë që kanë bërë dhe shpresojnë ngjitjen në Superiore.

Pritshmëritë e skuadrës për ngjitjen në Superiore kanë bërë që në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” të rikthehen edhe tifozët për të mbështetur skuadrën.