“Do të ishte gabimi më i madh që në këtë moment kur prisnim të merrnim një “Po” për negociatat dhe nuk e morëm dot, ta përjetojmë si një moment kur duhet të vëmë në pikëpyetje Europën dhe të ardhmen tonë europiane”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një konferencë për shtyp, Rama tha se “rrugëtimi ynë europian është një testament”.

“Europa ka pasur momentet e veta të lavdishme, të vështira. Ka sot një moment të komplikuar, por është i vetmi destinacion. Forma që ajo do të marrë si organizim është dytësore në raport me përkatësinë ndaj kësaj familjeje. Kjo nuk ka të bëjë me Merkel, me Macron apo me BE-në, por ka të bëjë me Shqipërinë dhe me shqiptarët”, tha Rama.

Ankorimi i shqiptarëve në këtë organizëm politik të vendeve europiane, sipas Ramës, “është destinacion strategjik dhe historik, nuk është një nga planet, është i vetmi plan, sepse është e vetmja hapësirë ku shqiptarët mund të jetojnë njëherë e përgjithmonë thjesht të lirë por edhe të sigurt”.

“Edhe Presidenti Macron duhet të bëjë më shumë, edhe ai vetë thotë se dua të bëj më shumë. Në këtë pozicion ku jemi të gjithë duhet të bëjmë më shumë. Ne kemi bërë gjithçka që Presidenti Macron dhe të tjerët të thoshin ‘Po’ për të çelur negociatat. Nëse nuk e thanë nuk ka të bëjë me ne. Bishtat që shtohen mbrapa nuk janë korrekte, sepse qëndrimi i Presidentit Macron në raport me temën e djeshme është qëndrim konceptual kundër mënyrës se si funksionon sot BE”, tha Rama./atsh