“Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan” dhe Fondacioni “Motrat Muslimane Zvicër” ishin në fshatin Çestie në Njësinë Administrative Kajan, aty ku jetojnë në çadra nëntë familje me 37 anëtarë, të cilave ju shkatërruan banesat nga lëkundjet e forta të tërmetit të 21 Shtatorit të këtij viti.

Nga ana Fondacionit “Motrat Muslimane Zvicër”, këtyre familjeve ju janë dhuruar jo vetëm ushqime e veshmbathje, por edhe një sasi e konsiderueshme ndihmash financiare.

Kryebashkiaku i Belshit, Arif Tafani, ka falënderuar “Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan” dhe Fondacionin “Motrat Muslimane Zvicër” për solidaritetin e treguar dhe ndihmën që ju ofruan familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit 2019.

Ndërkaq, drejtueset e Fondacionit “Motrat Muslimane Zvicër” theksuan se solidariteti në raste fatkeqësish natyrore jo vetëm që nuk mungon për motrat dhe vëllezërit shqiptarë, por ndihma e tyre do të jetë e pakursyer.

Ndërkaq, ky fondacion ka vizituar dhe ndihmuar edhe familjen Fejzullau, pasi djali i tyre Martini 22 vjeç, prej 16 muajsh, si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik, ka mbetur i paralizuar.