Bizneset mbajnë mbi 90% të depozitave të tyre në gjendje likuide, në varësi të aktivitetit dhe nevojave të tyre sezonale për investime apo shpenzime.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, nga ana tjetër depozitat e individëve përbëjnë mbi 80% të stokut të depozitave në sistemin bankar dhe rreth 60% e tyre mbahen në instrumente me afat, duke reflektuar investimin e tyre në një formë më afatgjatë kursimi.

Ritmi i rritjes së depozitave në sistemin bankar është përmirësuar në tremujorin e fundit.

Depozitat në total vlerësohen në rreth 70.4% si raport të PBB-së në fund të vitit të kaluar. Stoku i tyre shënoi rritje mesatare vjetore me 5.7% në tremujorin e katërt, krahasuar me normën prej 4.7% në tremujorin paraardhës.

Kjo ecuri është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i shpejtë i depozitave në valutë, me rreth 6.5% në terma vjetorë, krahasuar me 5.7% një tremujor më parë. Depozitat në lekë shënuan përmirësim të normave të rritjes në 4.9%, me rritje rreth 1.3% nga tremujori i tretë. Në terma të strukturës kohore, depozitat në sistemin bankar vijojnë të zhvendosen në dy polet e maturiteteve, duke marrë kryesisht trajtën e depozitave pa afat, si dhe të depozitave me afat maturimi mbi dy vjet.

Në fund të periudhës, depozitat pa afat përbëjnë rreth 47% të stokut total të depozitave, ndërsa ato me afat maturimi mbi dy vjet rreth 13.4%.