Ecuria e kursit të këmbimit, shfaqet relativisht i stabilizuar gjatë vitit 2019.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, informacioni i marrë në analizë për ecurinë e tregut valutor vendas gjatë këtij viti, ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet Bankës Qendrore.

Sipas BSH-së, raporti i këmbimit të lekut me euron është më afër ekuilibrit, ndërsa luhatjet e tij duket se janë diktuar nga faktorë sezonalë, siç janë p.sh faktorët sezonalë që nxitën rënien e euros gjatë sezonit të verës, kur prurjet nga turistët dhe nga emigrantët ndikojnë në rritjen e ofertës dhe zhvlerësimin e valutës, kryesisht të euros. Apo gjatë fundvitit kur shënohet mbiçmim i valutës, për shkak të rritjes së kërkesës për valutë nga biznesi, si rezultat i zgjerimit të volumit të kërkesës për mallra.

Një euro e fortë penalizon kreditorët që kanë kredi në këtë monedhë, pasi do të paguajnë më shumë në këstet mujore. Ndërsa importet vijnë me kosto më të lartë, duke reflektuar çmime më të larta në treg.

Banka e Shqipërisë vëren se, primet e rrezikut në tregjet financiare janë të ulëta, ndërsa gjendja e likuiditetit është e kënaqshme. Gjithashtu bën të ditur ajo, normat e interesit të kredive, depozitave dhe të letrave me vlerë të qeverisë janë pranë niveleve minimale, duke nxitur rritjen e kredisë dhe duke inkurajuar rritjen e konsumit dhe të investimeve.