Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është zgjedhur kryetar i misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Bjellorusi për zgjedhjet parlamentare që zhvillohen më 17 nëntor.

Në njoftimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së bëhet e ditur se misioni prej 80 vëzhguesish, në përbërje të të cilit janë 60 parlamentarë do të kryesohet nga Ditmir Bushati, një diplomat me eksperiencë, i cili ka mbajtur pozicionin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë nga viti 2013-2019 dhe kryeson Delegacionin e Shqipërisë në AP të OSBE-së.

“Ne jemi një grup i madh vëzhgues të fuqishëm, jo vetëm në numër, por edhe në eksperiencë dhe ekspertizë. Ne vijmë nga nga disa shtete të ndryshme me pikëpamje të ndryshme politike dhe jemi të unifikuar në angazhimin tonë për të ofruar një vlerësim të plotë dhe të paanshëm të zgjedhjeve,” shprehet Bushati. /atsh