Në 30 qershor hapet njëri kah i rrugës së bypass-it të Fierit, për qarkullimin e mjeteve. Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Sonila Qato, tha sot, se ARRSH po punon me intensitet të lartë që të përfundojë sa më parë ndërtimin e këtij aksi me rëndësi kombëtare.

ARRSH po vijon mbikqyrjen e të gjithë kontraktorëve për zbatim me cilësi, standard dhe respektim të afateve të kontraktuara.

“Kontraktori është duke punuar me ritme shumë të larta, për të realizuar më 30 qershor hapjen e korsisë së parë të rrugës së bypass-it të Fierit, për qarkullimin e të gjitha mjeteve, me përjashtim atyre të rënda. Grupet e punës janë duke punuar me dy turne në disa pika të këtij kantieri, për të ndërtuar dhe mbaruar në kohë reale edhe veprat e artit në këtë aks, që kërkojnë kohën e tyre dhe kanë edhe një kosto të konsiderueshme”- tha Qato.

Sipas saj, brenda datës 30 qershor, ky aks do të jetë i kalueshëm në një një krah, duke u bërë kështu i aksesueshëm brenda sezonit turistik, për tu shfrytëzuar nga të gjithë turistët dhe vizitorët.

Bypass-i i Fierit është një projekt strategjik i infrastrukturës rrugore në vend. Me një gjatësi prej 22 km, ai shkurton ndjeshëm distancën nga Mbrostari në Levan, një segment problematik ky sidomos gjatë sezonit turistik.

Projekti i financuar nga BERZH dhe BEI, është i tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit (Bypass-i i Fierit). Baypass-i i Fierit është pjesë e korridorit të rëndësishëm nga Veriu në Jug të vendit.

Aksi rrugor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, për zhvillimin industrial dhe të turizmit, dhe ka një impakt të rëndësishëm në bujqësi, meqenëse Fieri është rajoni më i rëndësishëm i prodhimit bujqësor në vend. /atsh