Çelet java e parasë, Sejko: Sensibilizim i të rinjve për financat personale
Çelet java e parasë, Sejko: Sensibilizim i të rinjve për financat personale

Banka e Shqipërisë, çeli Java e Parasë për vitin 2018, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme.

Kjo javë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.

Ky vit shënon plot një dekadë angazhimi të Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit financiar, që fillimin e saj e gjen pikërisht në një memorandum bashkëpunimi të nënshkruar me ministrinë e Arsimit.

Sivjet është viti i pestë që Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, dhe partnerë të tjerë organizojnë aktivitete edukuese për fëmijë dhe të rinj me rastin e kësaj ngjarjeje.

Gjatë javës 12-18 mars 2018, do të mbahen aktivitete të larmishme për fëmijët dhe të rinjtë. Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht si ata të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare, orë të hapura mësimore dhe shfaqje teatrale.

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2018 e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi.