Në kuadër të fushatës 16 ditore që nisi më 25 Nëntor, si sensibilizim kundër dhunës me bazë gjinore, në universitetin “Aleksandër Xhuvani” është organizuar sot një ekspozitë nën sloganin “Çfarë kishte veshur”.

Kjo ekspozitë me veshje u bazua në dëshmitë e atyre vajzave të abuzuara, të cilat kanë dashur të tregojnë historitë e tyre përmes imazheve. Aktiviteti u organizua nga Agjensia e Kombeve të bashkuara, UE, Forumi i gruas dhe bashkia Elbasan.

Ky aktivitet i zhvilluar me studentët kishte si fokus pikërisht sensibilizimin e të rinjve në lidhje me respektimin e të drejtave të grave.

Titulli i ekspozitës “Çfarë kishte veshur” merr shkas nga pyetja më e shpeshtë që u bëhet të mbijetuarave nga abuzimet dhe denoncimet e tyre. Kjo pyetje reflekton mendësinë e gabuar se sulmi sexual motivohet nga veshja duke anashkaluar faktorët e vërtetë të sulmit dhe duke e vendosuar padrejtësisht fajin tek viktima.

Sipas të dhënave nga studimi më i fundit mbi dhunën me bazë gjinore, 1 në 2 gra në Shqipëri ka raportuar se ka përjetuar dhunë gjatë jetës dhe prej tyre 18% kanë përjetuar dhunë sexuale.