Gjatë vitit të ardhshëm fermerët që do duan të kultivojnë prodhime bujqësore në serra do të kenë mundësi të përfitojnë subvencion për plastmasin përmes Skemës Kombëtare, si dhe do të shihet mundësia për heqjen e TVSH-së për plastmasin e përdorur posaçërisht për serra.

Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë një vizite në Libofsh të Fierit. Bashkë me zv.ministrin, Dhimo Kote, Çuçi u takua me fermerë të kësaj zone, të cilët kultivojnë rrush në serra.

‘Ashtu siç shihet dhe ka dhënë rezultat, serrat deri më tani janë një nga aspektet më të suksesshme të strategjisë tonë për të rritur prodhimin bujqësor. Do të shtojmë mbështetjen ndaj atyre që kultivojnë përmes serrave”, tha ministri Çuçi.

Fermerët e Libofshës në një sipërfaqe rreth 20 hektarë vresht me serra prodhojnë çdo vit qindra ton me rrush tavoline. Janë kryesisht 4-5 varietete italiane për tavolinë. Gati i gjithë prodhimi është i destinuar për tregun jashtë.

Fermerët kanë nisur eksportin e rrushit diku në fillim të muajit qershor në vende si Suedia, Italia, Kroacia etj. Çmimi i këtij rrushi është relativisht i lartë dhe siguron të ardhura të mira për fermerët.

Avantazhi i kultivimit të rrushit përmes serrave është se prodhimi del më shpejt në treg dhe rrjedhimisht do të kapë një çmim më të lartë në tregjet ndërkombëtare. Fermerët synojnë të zgjerojnë sipërfaqet duke marrë toka të tjera me qira nga banorët vendas ose nga fondi i tokave pronë shtetërore. /a.g/