Detaje të reja pas ngjarjes së rëndë dhe djegies brenda makinës të shtetasit Xhafer Osmani, 61 vjeç, që u gjet në Derven të Fushë-Krujës.

Osmani, banor i Mitrovicës në Kosovë rezulton të jetë dhunuar, vrarë dhe më pas, makinës bashkë me trupin e tij brenda i është vënë zjarri për të fshehur gjurmët. Policia dhe Prokuroria e Krujës nuk kanë ende asnjë të dyshuar konkret për krimin makabër të ndodhur mesditën e së premtes, por ka krijuar një identikit të tij.

Burime pranë grupit hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, thonë se autor i dyshuar i krimit është një person rreth 35 vjeç, i cili është fiksuar nga kamerat e një karburanti, disa metra larg vendit ku u gjet automjeti i djegur.

Nga sekuencat filmike, të regjistruara rreth 2- 3 orë para ngjarjes tronditëse vërehet se i dyshuari ndodhej pranë makinës së Xhafer Osmanit, ndërsa ky i fundit dyshohet se qëndronte i lidhur në sediljen e pasme të automjetit.

HETIMET
Ende nuk ka një motiv të saktë për vrasjen e kosovarit 61-vjeçar, por Policia ka ngritur disa pista hetimi. Aktualisht, po verifikohet ndonjë lidhje intime e Xhafer Osmanit në Shqipëri, çka mund të jetë bërë shkak për vrasjen makabër të tij.

Viktima dyshohet të jetë torturuar, çka lë të dyshohet se, ose autorët kanë pasur mllef të madh ose kanë dashur të nxirrnin ndonjë informacion nga 61-vjeçari. Paçka se në Kosovë rezulton person i pastër nga ana kriminale, Policia nuk po lë pa hetuar ndonjë lidhje me trafikantë të lëndëve narkotike këtu në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Policia po punon për zbardhjen e itinerarit dhe lëvizjet e Xhafer Osmanit në Shqipëri, për të mësuar më shumë mbi personat që ai ka takuar.

EKSPERTIZA
Sot pritet të dalin rezultatet e analizave, ajo e ADN-së dhe analizat e tjera që do të përcaktojnë saktësisht nëse kemi të bëjmë me dhunim, vrasje dhe më pas djegie të kufomës.

Nga të dhënat paraprake, grupi hetimor thotë se ka dyshime që viktima, para se t’i vihej flaka, të jetë dhunuar barbarisht nga autori duke u goditur me mjete të forta. Motivet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende, por dyshohet se autori ka kryer ndaj tij tortura të ndryshme me synim marrjen e ndonjë të dhëne që u ka interesuar.

Policia e Durrësit ka kërkuar informacion te homologët e tyre në Mitrovicë, të cilat kanë konfirmuar se 61-vjeçari është i pastër nga veprat penale, ishte beqar dhe kishte një supermarket ushqimor në fshatin Pestovë të Vushtrrisë (Mitrovicë).

Policia po vijon hetimet dhe verifikime po kryhen edhe për zbulimin e vendqëndrimit të Osmanit gjatë këtyre ditëve që ndodhej në Shqipëri, si dhe rreth të njohurve që ai kishte në vendin tonë.

Elbasani News