Kur Katie Kacvinsky shkroi romanin “Dashuria mbi gjithçka” kritika thoshte se ky roman përcjell bukur ekstazën e thellë të dashurisë së parë; ringjall çastin kur dy të dashuruarit kuptojnë se ky është vetëm fillimi i jetës, e cila nuk do të rrjedhë njësoj për të gjithë.

E përkthyer nga Gerta Jazaj e botuar nga Pegi, ai shfaq një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.

Grei është një djalë i ngrysur, durimpak dhe i tërhequr. Dilani është një vajzë kurioze, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të një risie, ekzaktësisht e kundërta e tij. Për herë të parë, Grei e vë re Dilanin kur ajo është e shtrirë barkazi në oborrin e universitetit, me xhinse të vjetra e këpucë të dala mode, me një aparat fotografik në dorë, teksa fokusohet te diçka që askush tjetër nuk arrin ta shohë. I ka zënë rrugën Greit, i cili është i detyruar t’i flasë. Pa e kuptuar as ai vetë, ajo ka hyrë në jetën e tij, duke vendosur në mënyrë pothuajse autoritare ta kalojnë pasditen bashkë. Dilani nuk është si vajzat e tjera që ka njohur Grei. Ajo është shpirtërisht dhe mendërisht e hapur, tërësisht vetja e saj, e pacenuar nga mendimet e të tjerëve. Fillimisht, pyetjet e saj të çuditshme dhe energjia e pashtershme e bezdisin Grein, por shumë shpejt ai do ta ndiejë veten më të hapur dhe kureshtar ndaj kësaj vajze të çmendur. E rrëfyer nga pikëpamjet e dy personazheve, historia e Dilanit dhe Greit do të shpaloset gradualisht, së bashku me sekretet më të thella të këtyre dy adoleshentëve.

Katie Kacvinsky shkruan kryesisht romane për adoleshentët dhe të rinjtë. Veprat e saj kanë marrë vlerësime të rëndësishme në YALSA Aëards, ndërsa “Dashuria mbi gjithçka” ka qenë një nga finalistët e çmimit Oregon Book Award. Ajo jeton në Uiskonsin me familjen e saj

Ky është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Me anë të këtij koleksioni, “Pegi” njofton se do të sjellë romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. Emri i koleksionit kërkon të na kujtojë emocionet e mëdha dhe fluturat e vogla në stomak, që ndiejmë sa herë biem në dashuri.