Inspektorati i Policisë së Kosovës ka ngritur dje kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës ndaj 22 zyrtarëve policor në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova një vit më parë, të akuzuar si Gylenistë nga qeveria e Ankarasë. Ngjarja e kontestuar kishte nxitur kritika të ashpra nga vendet perëndimore, ndërsa qeveria e Kosovës kishte refuzuar se ishte bërë me dijeni të saj. “Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu. Edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar ngritjen e kallëzimit penal ndaj 22 policëve, ndërsa disa zyrtarë kosovarë kanë kërkuar që hetimet të mos ndalen deri në zbardhjen e urdhër-dhënësve të vërtetë të ekstradimeve arbitrare. “Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Ky kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK.

Selmanaj: Prokuroria të merret me urdhër dhënësit

Nënkryetari i Komisionit Hetimor për dëbimin e gjashtë gylenistëve, Driton Selmanaj e ka quajtur si laj pozitiv kallëzimin penal ndaj 22 policëve në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, si dhe ka kërkuar që çështja të mos mbetet me kaq por prokuroria të merret edhe me urdhër dhënësit e këtij dëbimi të cilët sipas tij, janë ish-drejtori i Agjencisë Kosovarë të Inteligjencës, Driton Gashin, ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin, dhe më tej me politikanët e përfshirë. “Në fakt është lajm pozitiv, normalisht çfarë do veprimi që bëhet për t’i pru para drejtësisë përgjegjësit që kanë qenë të përfshirë në këtë rast, por kjo asesi nuk duhet të ndalet me kaq, vetëm me policët. Ajo çka është e rëndësishme që prokuroria të merret me urdhër dhënësit të cilët janë krerët e institucioneve të rendit, fillimisht policisë dhe AKI-së, ish-drejtorit të Policisë, ish-drejtorit të AKI-së dhe më pas të kalohet edhe në bartësit politik, Ministrit të Punëve të Brendshme, Kryeministrit dhe presidentit të vendit”, tha Selmanaj. Nëse ky rast përfundon vetëm me arrestimin e policëve, Selmanaj shton se ky rast është i konstruktuar nga vetë organet e drejtësisë. “Do të thotë nëse ky rast izolohet dhe kufizohet vetëm me policë atëherë del që është rast i konstruktuar prej organeve të drejtësisë në mënyrë që organet kryesore mos të vihen para drejtësisë. Pra nëse kufizohet vetëm me këtë policë dhe mbetet me kaq atëherë del që kjo çështje është e konstatume edhe prej prokurorisë së shtetit”, ka thënë ai.

Ekstradimet në Ankara

Në mars të vitit të kaluar, autoritetet kosovare me kërkesë të autoriteteve turke, patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq, duke nxitur reagime të ashpra nga shtetet perëndimore, por edhe vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që pati deklaruar se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni. Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit klerik disident turk, Fetullah Gulen, të cilin autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016. Më 28 qershor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Andi Lamko