Parku Kombëtar i Valbonës, në Tropojë, u mbulua në ditët e para të dhjetorit nga dëbora, duke ofruar një peizazh mahnitës jo vetëm për turistët vendas, por edhe ata të huaj.

E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, Valbona në ditët e para të dimrit të magjeps me bukurinë e bardhësisë së saj.

Ky park kombëtar nuk njeh stinë, pasi vizitorë të shumtë e zgjedhin atë. Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror, por edhe atë të dimrit. Ndërkohë që turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Lugina e Valbonës është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996. Ky park ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. Konsiderohet si mrekullia e Alpeve. Ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri, qendra e rrethit të Tropojës.

Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur”Lumi i Gashit”. Territori i saj përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem.

Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave dhe duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinte.

Parku Kombëtar i Valbonës ka vlera të larta shkencore, turistike, shoqërore kuruese, të cilat pasurohen me një biodiversitet me rëndësi kombëtare dhe më gjerë.

/ATSH/