Deklarimi i TVSH-së për biznesin e vogël nuk çoi në rritje çmimesh
Deklarimi i TVSH-së për biznesin e vogël nuk çoi në rritje çmimesh

Futja për herë të parë në skemën e deklarimit të TVSH-së të rreth 9975 bizneseve të vogla me xhiro vjetore 2-5 milionë lekë nuk u reflektua në rritje çmimesh gjatë muajit prill e në vazhdim.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot se inflacioni në muajin prill është 2.1% dhe është në nivelet normale madje krahasuar me muajin mars kemi ulje të çmimeve për disa grupe, ku ndër to përfshihet edhe ai i ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike.

“E deklarova në fillim të prezantimit të skemës së re të deklarimit të TVSH-së se nuk do të rriteshin çmimet ja ku jemi: nuk ka rritje çmimesh por ka ulje çmimesh në treg për shkak të akomodimit të tregut”, theksoi ministri në përgjigje të të gjitha qëndrimeve të opozitës apo edhe disa analistëve të cilët deklaruan se çmimet do të rriteshin dhe se bizneset do të mbylleshin.

Lidhur me numrin e bizneseve të reja, ministri Ahmetaj informoi se janë rreth 5 mijë biznese të regjistruara për herë të parë në organet tatimore gjatë 4 muajve të parë të këtij viti.
/ATSH