Komisioneri i ri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič shprehu sot solidaritetin e Bashkimit Europian me Shqipërinë për përballimin e dëmeve nga tërmeti.

Lenarčič ndodhet në Shqipëri për t’u njohur nga afër me situatën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Në një takim me kryeministrin Edi Rama, ai kërkoi një shifër mbi dëmet që shkaktoi tërmeti.

Ai tha se “BE e kupton se Shqipëria ka nevojë për ndihmë dhe kjo ndihmë do t’ju vijë dhe do të vazhdojmë të jemi solidarë”.

“Prania ime këtu tregon solidaritet. Kemi një angazhim të fort dhe solid për të bërë gjithçka është e mundur për t’ju ndihmuar juve në këto ditë të vëshira. Tani duhet t’i hedhim sytë drejt së ardhmes. KE ka premtuar 15 milionë euro nga buxheti”, tha ai.

Lenarčič tha se ka një parakusht thelbësor dhe ai është vlerësimi i nevojave pas kësaj fatkeqësie natyrorë. “Ne jemi lidhur me OKB, institucionet financiare por faza e vlerësimit të dëmeve do të jetë shumë e rëndësishme sepse do të orientojë të gjithë këto elementë te vlerësimi i nevojave”, tha ai.

Gjithashtu, Lenarčič inkurajoi që autoritetet shqiptare ta shohin pjesën e rindërtimit në një këndvështrim më të gjerë, duke përfshirë edhe përmirësime në fushën e parandalimit dhe parapërgatitjes në raste fatkeqësish natyrore.

“Motivimi im kryesor është për të ardhur dhe për t’u treguar qytetarëve shqiptarë që ju nuk jeni vetëm”, tha ai.