Revista prestigjioze australiane, ‘Who’, ka renditur Shqipërinë si një ndër vendet më të mira për të kaluar pushimet e verës.

Sipas kësaj reviste, Shqipëria mund të mos jetë e njohur si vendet e tjera, por është një ndër vendet më të bukura të jugut të Europës. Revista ‘Who’ tregon se Shqipëria meriton të njihet si një nga destinacionet që nuk duhet humbur për vitin 2019.

Kështu shkruan në artikullin e botuar në revistën australiane ‘Who’, gazetarja e pavarur e udhëtimeve, Amy Mills, e cila ka punuar në gazeta dhe revista në Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar për 18 vitet e fundit.

Gazetarja Mills e përshkruan Shqipërinë me peizazhe të jashtëzakonshme malore, plazhe të pastra dhe qytete të fortifikuara pa turma.

Fshati i vogël i Ksamilit, sipas përshkrimit të saj, shtrihet përgjatë bregut jugor shqiptar pranë Sarandës e Korfuzit dhe ka disa nga plazhet më spektakolare të Europës. Gjithashtu, shkruan gazetarja, ka një bollëk të peshkut të freskët dhe ndodhet në një distancë të shkurtër prej dy vendeve të veçanta që ruhen nga trashëgimia e UNESCOS, siç janë Butrinti dhe Gjirokastra.