Forca speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion në veri të vendit ku janë arrestuar dy persona.

Sipas mediave në Prishtinë, personat janë arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale dhe dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Një prej të arrestuarve është Rade Basara, hetues policor në veri. Ai ka udhëhequr hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviçit dhe dyshohet për fshehjen e provave.

Sipas burimeve të KosovaPress policia ka dështuar të arrestojë edhe personin e tretë që është Zhelko Bojiq, shef i operativës së policisë për rajonin e veriut të Mitrovicës.

Të arrestuarit janë dërguar në Prishtinë ndërsa në këto momente aksioni po vazhdon në Komunën e Leposaviçit.

Bëhte me dije se mbi 100 policë kanë marrë pjesë në këtë aksion, që ka nisur prej orëve të para të mëngjesit.