Devi Muka zotohet se kjo Tiranë po ndërtohet siç duhet për të qenë në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit. “Pres derbi për titullin”, shprehet ai kalimthi, teksa na drejton në zyrën e re. Ikona bardheblu sot ka staturën e drejtorit të Akademisë së Tiranës.

Është e vështirë ta ndalësh për ta intervistuar, por ish-numri dhjetë i bardhebluve tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” të gjitha të pathënat, nga rënia e Tiranës, trajnerët e larguar dhe deri te skuadra e sotme. Nuk lë pa prekur as çështjen “Skënderbeu”.

Jeni zhdukur nga skena mediatike prej shumë kohësh. Ndaj e para pyetje që më vjen ndërmend është t’ju them: Ku ka humbur Devi Muka?

Të them të vërtetën, nuk është se kam humbur. Kam qenë pjesë e Tiranës historikisht, që kur kam veshur fanellën për herë të parë. Pjesa e rënies nga kategoria atë vit na dëmtoi shumë të gjithëve, si moralisht apo nga të gjitha krahët. Kam qenë gjithmonë në kontakte, por në atë moment nuk është se u largova, pasi kam qenë pjesë e klubit, por në një farë mënyre sikur hapa krahun vetë.

Pse kjo zgjedhje?

Sepse pashë që situatat nuk ishin fort të mira. Nuk ishin të shëndetshme për momentin, pasi e përsëris që pësuam një “shok” nga ajo që ndodhi. Dhe në atë mënyrë, thashë se do të ishte më e mirë zgjedhja për t’i lënë gjërat si të thuash, që të ftoheshin si histori.

A ishit dakord me afrimin e Josës dhe largimin e Dajës në atë periudhë?

Shikoni, po flasim për dy trajnerët më të mirë të Shqipërisë. Jemi të gjithë dakord besoj se ishin të tillë. Dhe në të njëjtën kohë, të mos harrojmë se po flasim për Tiranën dhe jo një ekip të dorës së dytë. Me eksperiencën që kam te ky klub, Tirana nuk i duron dot humbjet, pavarësisht çfarë ndodhi më pas. Historia është që sado trajner i mirë të jesh, trajneri i Tiranës e di që është me çantën në krah. Nuk është se ne krijuam presion ndaj Dajës.

Por, u shfaqët me të në tribunë disa herë me Mirelin…

Isha në tribunë me Mirel Josën. Me kë isha? Dhe po, e them me plot gojën që do të jem gjithmonë në tribunë me njerëz të tillë, me ikona bardheblu, por nuk ka aspak lidhje me çfarë ndodhi. Unë sot rri në tribunë me Agustin Kolën, për shembull. Po kjo çfarë nënkupton që po i bëj presion Ard Memës? Nuk më duket i drejtë një arsyetim i tillë. Ne jemi klub serioz. Dhe në fund të fundit, në atë periudhë morëm një trajner katër apo pesë herë kampion të Shqipërisë. Josa ka qenë i shtëpisë dhe do të jetë.

Po thoni se Josa nuk ishte në plane që të merrte drejtimin e ekipit?

Kisha plane për akademinë dhe do të kishte një vend të lirë aty, në rol drejtues. Prandaj u afrua Mirel Josa, sepse ka qenë një nga dëshirat e mia tek Akademia. Realisht, nuk ka qenë plani fare që Mireli erdhi për trajnerin. Jo, ua garantoj që erdhi për drejtor. Jo për t’i bërë presion Ilir Dajës. Nuk ka asnjë lidhje me të, fare. Daja ishte trajner i respektuar, i nderuar. Iu hap dera nga Tirana dhe punoi shumë mirë. Ishte trajneri i moshave te Dinamo dhe drejtoi ekipin tonë. Nuk kishim ndërmend që ta hiqnim Ilir Dajën po të fitonte. Ndodhi se çfarë ndodhi në ato dy ndeshje, ku ekipi u shkëput me pikë, duke lëkundur objektivat dhe pastaj ishte vendimmarrje e presidentit. Në fund të fundit, Daja nuk u ndërrua me një të panjohur. Nuk kishte asnjë lloj presioni, përkundrazi, Daja është paguar deri në fund.

Ka shumë specialistë apo opinionistë, mes tyre edhe Shkëlqim Muça, të cilët janë shprehur se Halilit i duhet një tjetër donator sepse nuk mund t’ia dalë dot i vetëm. Ju si mendoni?

E kanë gabim që të gjithë. Ia ka dalë për bukuri të Zotit deri më sot. E them, sepse kushdo president që do të kishte qenë, do të kishte falimentuar nëse do ta merrte Tiranën me gjithë ato halle. Ai, falë ambicies që po shet gjakun e vet për të mbajtur këtë klub dhe të gjithë njerëzit apo tifozët të paktën duhet t’ia dinë këtë gjë. E them sepse nuk e ka lënë klubin siç e kanë lënë të tjerët.

Kush?

Nuk dua të përmend as donatorë apo as borxhe të ndryshme. Për këtë mjaft t’ju them që vetëm borxhi i dritave ka qenë mbi 25 milionë lekë (të vjetër) që e kam gjetur ditën e parë tek Akademia. Që nga ajo ditë e deri më sot, paguhen të gjitha faturat një më një. Dhe habitem se çfarë është bërë, kur dihet se kjo akademi është me vetëfinancim dhe ka prodhuar lekë. Habitem që të mos të arrihet të paguhet as 500 mijë lekë (të vjetër) drita në muaj. Mendoj se është skandal kjo gjë, sepse i bie gati tri vjet pa paguar dritat. Unë edhe mund të largohem nesër nga kjo punë, por jam i sigurt se këtë akademi e lë zero për problemet, por edhe me zyrë, infrastrukturë, si dhe një databazë e gjithçka tjetër. Sërish po flasim për gjërat më minimale, që në të shkuarën as që çoheshin nëpër mend. Mendoj se ambiciet e presidentit janë të mëdha. Them se pas fushës së re të akademisë që ai po investon, e cila do të sjellë të ardhura më të mëdha në vazhdim, mendoj se shumë shpejt mund të bëhemi me stadium të ri. Halili kërkon që të investojë edhe në stadiumin e ri.