Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj ka folur mbi ndryshimet në paketën fiskale dhe ka hedhur idenë se është e pamundur të krijohet një paketë e mirëfilltë fiskale, por do të bëhen ndërhyrje në disa ligje fiskale.

Këto ndryshime, sipas Denajt, kanë si synim përshtatjen e ligjit me projektin e fiskalizimit.

“Nuk ka paketë të mirëfilltë fiskale por disa ndërhyrje në disa ligje fiskale. Ndryshimet janë për uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal. Këtu synojmë të përshtatim ligjin me projektin e fiskalizimit. Ndryshimet në ligjin për disa ndryshime në ligjin e të ardhurave, kemi vendosur të mbështesim sektorin automotiv, po ashtu edhe përjashtim nga detyrimet të makinave elektrike’, tha ministrja.

Denaj shtoi se për të dy punësuarit nuk do të ketë një tatim të ri por një tatim në vlerën totale. Ndërkohë, do të përjashtohen nga taksat makinat historike, e cila përbën edhe një nismë europiane.

“Do të favorizojmë sektorin e sportit, sa i takon sponsorizimeve. Po ashtu pjesë e paketës është edhe tatimi i të dypunësuarve. Nuk është një tatim i ri por që do të tatojmë të dy punësuarit për vlerën totale të të ardhurave. Për taksat kombëtare, kemi propozuar përjashtim nga taksat të dy kategorive. Përjashtim nga taksat të makinave historike, kjo është një nismë europiane.

Sa i takon fiskalizimit, ky projektligj është strategji për përafrimin e ligjit me atë të BE. Ky projekt bën që mbledhja e të ardhura të jetë efiçent, si dhe monitorim në kohë reale”, u shpreh Denaj.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/