Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla paraqiti sot dokumente të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë lidhur me dosjen “Basha”.

Sipas Ballës bëhet fjalë për Aktin e Rregjistrimit të Agjentëve të Huaj, ku vihet re qartë se këto dokumente janë të firmosura nga Lulzim Basha me numër pashaporte diplomatike DB1159763.

“Për ta kuptuar dosjen “Basha”, shikojini me kujdes këto dokumenta të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë (Akti i Rregjistrimit të Agjentëve të Huaj). A janë këto kontrata të firmosura nga Lulzim Basha me numër pashaporte diplomatike DB1159763?”, u shpreh Balla ndërsa publikoi këto dokumente.

Gjykata e Tiranës në seancën e zhvilluar dje ka vendosur pushimin e çështjes për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani dhe financierin e partisë, Ilir Dervishi të cilët ishin marrë të pandehur për lobimin 675.000 dollarë në SHBA.