Bashkia e Elbasanit dhe Ministria e Drejtësisë kanë nënshkruar sot një marrëveshje “për sigurimin e kuadrit infrastrukturor dhe institucional për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekia penale të të miturve në konflikt me ligjin”.

Institucionet e përfshira në këtë marrëveshje vlerësojnë rëndësinë e administrimit të drejtësisë penale për të miturit në konflikt me ligjin në kuadër të forcimit të shtetit të së drejtës dhe përmirësimit të respektimit të të drejtave të njeriut. 


Marrëveshja u firmos nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Qazim Sejdini dhe Zv. Ministri i Drejtësisë Toni Gogu.
Një nga objektivat kyç në ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve në nivel qëndror dhe vendor është efikasiteti në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve në përputhje me nevojat e tyre. 


Bashkia e Elbasanit dhe Ministria e Drejtësisë marrin në konsideratë politikat e ndjekura dhe masat e marra në nivel legjislativ për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat e të miturve në konflikt me ligjin, viktimave dhe dëshmitarëve. 


Ata synojnë implementimin efektiv të Kodit të Drejtësisë për të Miturit në mbrojtje të interesit më të lartë të tyre, integrimin social dhe rehabilitimin e mëtejshëm. 


Kryetari i Bashkisë dhe Zv. Ministri konfirmuan angazhimin maksimal për të siguruar standarde të larta të veprimtarisë dhe për të adresuar nevojat e strukturave zbatuese të ligjit për drejtësinë për të miturit për pasjen e një kuadri institucional dhe infrastrukturor mbështetës në qasje me objektivin e drejtësisë miqësore për fëmijët.

Edlira XHERRI