Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Prrenjas pasi akuzohet se ka kultivuar lëndë narkotike.

Sipas bluve në pranga ka rënë L.T., 30 vjeç, banues në Prrenjas. Ndërkohë janë proceduar penalisht edhe katër persona të tjerë, përfshirë dy inspektorë pyjorë si dhe kryeplaku i fshatit.

Lënda narkotike është gjetur në fshatin Sopot, ndërsa është sekuestruar nga policia.

Njoftimi i plotë:  

Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit Elbasan, kanë ushtruar kontroll dhe në përroin e Gostimës, pranë fshatit Sopot të Prrenjasit, dhe gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi fidanë kanabis të kultivuar në tokë

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: L.T., 30 vjeç, banues në Prrenjas.

Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: N.Nj., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin L.T., kanë kultivuar bimë narkotike, si dhe D.V., dhe N.A., Inspektorë pyjor pranë Drejtorisë Shërbimit Pyjor Prrenjas, D.B., kryeplaku i fshatit Sopot, për veprën penale , “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprimet e mëtejshme.