Durrës, në dy muaj përpunohen 21.648 kontejnerë
Durrës, në dy muaj përpunohen 21.648 kontejnerë

Në kalatat e specializuara në portin e Durrësit në dy muajt e parë të këtij viti janë përpunuar 21.648 kontejnerë.

Shifra është 4.638 njësi kontejner, më e lartë se sa në dy muajt e parë të vitit 2017.

Volumi i përgjithshëm i mallrave me kontejnerë gjatë dy muajve të parë të këtij viti arrin në 273.580 tonë mallra gjithsej.

Shifra është 63 mijë tonë më e lartë se sa ajo e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se në periudhën janar-shkurt 2018 në Terminalin e kontejnerëve janë përpunuar 31 anije gjithsej. Në kalata janë shkarkuar 10.779 kontejnerë me mallra importi, ose 2.250 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Thuajse të njëjtën rritje ka patur edhe numri i kontejnerëve për eksport, me 2.388 kontejnerë më shumë se në janar-shkurt 2017. /ATSH