Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka renditur në vendimin e zbardhur për ish-kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Fehmi Petku të gjitha arsyet se pse u shkarkua nga detyra. KPK i ka konstatuar atij probleme me aftësitë profesionale. Sipas vendimit, Petku ka qenë në konflikt interesi pjesë e trupës gjykuese për çështjen e Vehbi Alimuçës, që njihet për skandalin me firmat piramidale. Konflikti i interesit qëndron tek fakti se babai i Petkut i ka shitur një shtëpi Alimuçës. “Gjatë hetimit administrativ konstatohet se shtetasi A. P i shet shtetasit V. A shtëpinë e ndodhur, në Tiranë, me përbërje bodrume dhe tri kate ndërtuar me mur tulle dhe papafingo, në vlerën 520.000 USD. Referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, rezultoi se, z. Fehmi Petku, ka gjykuar çështjen penale në ngarkim të shtetasit V. A, ku ky i fundit i akuzuar për veprën penale “të vjedhjes me anë të mashtrimit në bashkëpunim, kryerje të krimeve nga organizata kriminale”, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, nr. ***, datë 30.07.1999, e cila kishte vendosur përjashtimin e gjyqtarit F. P nga gjykimi i çështjes, duke kërkuar mospërjashtimin e tij. Pra, subjekti i rivlerësimit ka marrë pjesë në gjykimin me palë shtetasin V. A, kur ky i fundit ka pasur marrëdhënie interesi (kontratë shitjeje datë 19.04.1996; kontratë huaje datë 27.04.1996, aktmarrëveshje datë 28.04.1996) me babanë e tij, z. A. P”, thuhet në vendim.

Sipas KPK, përmes këtij veprimi Fehmi Petku ka cenuar rëndë etikën e gjyqtarit. Nga ana tjetër, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda ka rezultuar me probleme edhe me figurën. Në vendimin e KPK thuhet se janë gjetur të dhëna që tregojnë përfshirjen e Petkut në korrupsion. “Bazuar në raportin e DSIK-së, rezulton se disponohen të dhëna për subjektin e rivlerësimit se ngrihen dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv gjatë gjykimit të disa çështjeve gjyqësore. Autoritetet verifikuese bëjnë gjithashtu me dije se disponohen të dhëna për djalin e subjektit të rivlerësimit, shtetasin Bekim Petku. Shumica e trupit gjykues konkludon për subjektin e rivlerësimit, z. Fehmi Petku, se është në kushtet e papërshtatshmërisë për vazhdimin e detyrës si gjyqtar, për shkak të mundësisë për vënien e tij nën presion nga strukturat kriminale, për favorizim apo për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, në papajtueshmëri të plotë me detyrën”, thuhet në vendimin e KPK.