Nuk jam ndër ata trajnerë që bëj ndryshime, ndonjëherë edhe nuk bëj fare”, tha Reja dje në konferencën për shtyp. E megjithatë, kjo ha diskutim. Po, sepse kur ndërron 4 lojtarë nga ndeshja paraardhëse, nuk mund të thuhet se nuk po bën ndryshime. Por boshti mbetet i njëjti, të kuptohemi drejt.

STRAKOSHA, NË STOL

Burime nga Kombëtarja bëjnë me dije se do të jetë Etrit Berisha në portë. Nuk dihet nëse për Strakoshën peshon gabimi në Turqi, apo ka qenë një zgjedhje e Rejas pa nisur mirë grumbullimi për këto dy ndeshje. Të dy janë portierë të shkëlqyer dhe për të mos e demoralizuar Etritin, por edhe sepse Strakosha gaboi, duket se është e drejtë që në portë të jetë 30-vjeçari që luan te SPAL-i.

MBROJTJA

Edhe në këtë repart pritet të ketë ndryshime të rëndësishme. Veseli ia ka lënë vendin Roshit. Qartazi Reja kërkon ta fitojë doemos ndeshjen me Moldavinë, ndërkohë që kjo e fundit 4 ditë më parë humbi me Andorrën. Por risia më e madhe mund të jetë Marash Kumbulla. 19- vjeçari që po shkëlqen me Veronën mund të zërë vendin e Dermakut. Nga stërvitja e djeshme u duk se do të ishte Gjimshiti në stol, por trajneri ka ndryshuar mendje pas seancës së fundit, duke i dhënë hapësirë mbrojtësit shkodran, që pritet të debutojë me kuqezinjtë.

MESFUSHA

Ndryshime edhe në mesfushë. Jo vetëm sepse Roshi pritet ta nisë si titullar, por edhe sepse Memushaj mund t’ia lërë vendin Abrashit. Vlonjati u pa i sforcuar kundër Turqisë dhe Reja po mendon që t’i japë pak frymëmarrje. Rrjedhimisht, pritet që edhe shiriti i kapitenit të ndryshojë “padron”, pasi tani sipas rregullit të numrit të ndeshjeve, pritet ta mbajë Etrit Berisha (57).

SULMI

Reja pritet t’i besojë sërish dyshes Cikalleshi-Manaj. Lushnjari shpërdoroi shumë kundër Turqisë, por Moldavia mund të jetë ndeshja e tij. Cikalleshi ndërkaq ka pasur probleme me gjurin që pas takimit me Turqinë, por nuk rrezikon dhe pritet ta nisë si titullar sot. Në pjesën e dytë mund të ketë vend në formacion edhe për Seferin, Selahin, apo Mihajn.

KAPITENI

Stafeta e ndërrimit të shiritit pritet të vijojë edhe sot te kuqezinjtë. Etrit Berisha parashikohet të jetë kapiten i Kombëtares, pasi Mavraj dhe Hysaj janë të dëmtuar dhe Memushaj mund ta nisë nga stoli.

/PANORAMASPORT.AL/